Spanja ekstradon në Kosovë Dukagjin Nikollajn, protagonistin e rastit “Bon Vivant”
Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”, është ekstraduar nga Spanja në Kosovë, pas përfundimit të procedurave ligjore ndërmjet dy shteteve.
Sipas raportimeve, ai tashmë u është dorëzuar autoriteteve kosovare dhe ndodhet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa pritet të përballet me organet e drejtësisë për rastet që rëndojnë mbi të.
U kërkua pas përleshjes në “Bon Vivant”
Emri i Nikollajt u bë një nga më të përfolurit në gusht të vitit 2023, pas përleshjes me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant” në qendër të Prishtinës.
Nga ai incident mbeti i vrarë një person dhe u plagosën e u lënduan dhjetëra të tjerë. Pas ngjarjes, Nikollaj ishte larguar nga vendi dhe ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Arrestimi në Spanjë
Pas një operacioni ndërkombëtar, ai u lokalizua dhe u arrestua në Spanjë, ndërsa më pas u zhvilluan procedurat që çuan në ekstradimin e tij drejt Kosovës.
Sipas raportimeve, Nikollaj aktualisht po intervistohet nga autoritetet, ndërsa pritet të dalë para gjykatës për t’u përballur me akuzat që lidhen me rastin “Bon Vivant”.
Ishte kërkuar edhe nga FBI
Në të kaluarën, emri i Dukagjin Nikollajt ishte përmendur edhe nga autoritetet amerikane.
Sipas raportimeve, ai kishte qenë i kërkuar nga FBI, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar dhe trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Autoritetet kosovare pritet të japin më shumë detaje lidhur me procedurat e mëtejshme gjyqësore ndaj tij.
