Trupi Gjykues i Gjykatës Themelore ka refuzuar kërkesën e avokates së të akuzuarit Dushan Maksimoviq për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve shtesë, në vazhdim të seancës gjyqësore për sulmin në Banjskë, ku të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, ka kritikuar qasjen e mbrojtjes, duke e cilësuar si tentativë për të krijuar alibi të paqëndrueshme.
“Nuk po e kuptoj narrativën e mbrojtjes për të krijuar alibi përmes shokëve të klientit të saj. Çka është thelbi i aktakuzës? Organizimi dhe pjesëmarrja në një sulm të armatosur për një shkëputje të veriut të Kosovës. Mbrojtja po tenton me 10 dëshmitarë, disa prej tyre që nuk i kanë shënimet e plota, të krijojë alibi. Kemi prova të pakundërshtueshme për këtë rast. Është një lloj për të zvarritur procedurën”, tha Koci.
Ndërkaq, avokati Naim Rudari, përfaqësues i të dëmtuarit Alban Rashitaj, theksoi se provat e propozuara nga mbrojtja nuk mund të rrëzojnë provat materiale ekzistuese.
“Mbrojtja mund të paraqesë prova për alibi vetëm 30 ditë pas konfirmimit të aktakuzës, dhe dispozita është e qartë. Në rastin konkret, pretendimet e mbrojtjes nuk mund ta rrëzojnë provën e uniformës së Maksimoviqit dhe antiplumbin në dhomën e tij të fjetjes. Ka prova të mjaftueshme që ai ka qenë pjesë aktive, që nga rojet e urës e deri në ditën kritike”, tha Rudari.
Rasti i Banjskës mbetet një nga proceset më të ndjekura ligjore, me interes të lartë publik dhe pasqyrim të provave materiale dhe dëshmive të palëve të përfshira.
Qasja e palës së dëmtuar nënvizon rëndësinë e provave materiale dhe dokumentimin e të gjithë aktivitetit të të akuzuarve. Kundërshtimi i mbrojtjes për dëshmitarë shtesë tregon një përpjekje për të zvarritur procedurën, ndërsa argumentet e avokatëve të dëmtuarve forcojnë pretendimin e pjesëmarrjes aktive të të akuzuarve në sulmin e Banjskës.
