Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë realizuar një nga donacionet më të rëndësishme teknologjike për sigurinë kufitare të Kosovës, duke dhuruar një skaner modern në vlerë prej rreth 3 milionë dollarësh, i cili është vendosur në pikën kufitare të Merdarës.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar të Ambasadës amerikane në Prishtinë, ku theksohet se ky investim synon të forcojë ndjeshëm aftësitë e Kosovës në luftën kundër kontrabandës, trafikimit të paligjshëm dhe mallrave të falsifikuara.
Sipas ambasadës, skaneri i ri është i prodhimit amerikan, i markës Rapiscan, dhe përfaqëson një teknologji të avancuar që mundëson kontroll më të shpejtë dhe më të saktë të automjeteve dhe mallrave që hyjnë në territorin e Kosovës.
Përurimi i këtij investimi është bërë sot në Merdare nga e Ngarkuara me Punë e Ambasadës amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, në prani të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Në deklaratën zyrtare, Ambasada amerikane ka vënë theksin te rëndësia strategjike e këtij donacioni, duke e lidhur drejtpërdrejt me mbrojtjen e ekonomisë dhe tregtisë së ligjshme.
“Lufta kundër trafikimit të paligjshëm dhe parandalimi i përhapjes së mallrave të falsifikuara i bën bizneset amerikane dhe kosovare më të forta dhe më të begata. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara janë krenare që forcojnë sigurinë kufitare të Kosovës përmes një skaneri Rapiscan, prodhim amerikan, në vlerë prej 3 milionë dollarësh”, thuhet në postimin zyrtar.
Sipas njoftimit, kjo teknologji e re pritet të rrisë ndjeshëm aftësitë e zbulimit në kufi, të mbështesë tregtinë e ligjshme dhe të ndihmojë në parandalimin e hyrjes së mallrave të rrezikshme ose të paligjshme në tregun kosovar.
Pika kufitare e Merdarës konsiderohet një nga nyjet më të rëndësishme të qarkullimit tregtar dhe të udhëtarëve mes Kosovës dhe Serbisë, çka e bën vendosjen e këtij skaneri veçanërisht domethënëse për sigurinë kombëtare dhe ekonomike të vendit.
Ky donacion shihet gjithashtu si një sinjal i qartë i vazhdimit të mbështetjes amerikane për institucionet e Kosovës, në një kohë kur çështjet e sigurisë, kontrabandës dhe krimit të organizuar mbeten sfida të vazhduesh

