Profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer, ka ngritur alarmin mbi rrezikun që paraqet një rikthim i mundshëm i Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar se ai mund të shtyjë për një ndarje territoriale të Kosovës si zgjidhje për konfliktin me Serbinë.
Në një analizë të publikuar pas deklaratës së Trump se ai “ndaloi luftën Kosovë-Serbi”, Serwer tha se “nuk ndaloi asgjë” dhe se çdo përpjekje që Trump bën tani, vetëm mund ta përkeqësojë situatën, për shkak të prirjes së tij për të favorizuar ndarjen.
“Administrata Trump, përmes Ric Grenellit, do ta ofrojë ndarjen e Kosovës si një shkëmbim territori. Veriu i Kosovës për Serbinë, komunat shqiptare në jug të Serbisë për Kosovën. Kjo mund të duket si zgjidhje për nacionalistët etnikë. Por është një ide e rrezikshme dhe destabilizuese,” shkruan Serwer.
Ai shton se Serbia nuk është e gatshme ta japë jugun e saj, për shkak të rëndësisë strategjike të rrugëve që lidhin atë zonë me Mesdheun, dhe se kjo ide është në thelb një mashtrim: “ofrohet shkëmbim, merret ndarje.”
Serwer thekson se Kosova duhet të qëndrojë larg kësaj agjende, pasi do të ishte një rrugë drejt destabilizimit të brendshëm dhe rajonal. Ai përmend gjithashtu që Trump dhe Grenell janë përfaqësues të nacionalizmit të bardhë amerikan, gjë që sipas tij nuk sjell asgjë të mirë për rajonin.
Në lidhje me dialogun Kosovë–Serbi, ai thotë se procesi politik ka dështuar ndër vite, ndërsa dialogu teknik ka dhënë rezultate reale, si kodi telefonik, marrëveshjet për energjinë, dhe dokumentet. Serwer u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojnë punën teknike pa ndërmjetës, nëse kanë vullnet politik.
Ai kritikoi gjithashtu refuzimin e Vuçiqit për të nënshkruar marrëveshjen e Brukselit në vitin 2023, por vlerësoi përpjekjet e BE-së për ta përfshirë atë në procesin e anëtarësimit të Serbisë.
Për Kosovën, Serwer kërkon që BE të heqë sa më parë sanksionet, të cilat ai i quan “të pajustifikuara dhe të pakuptimta”, dhe vlerësoi reagimin e forcave të sigurisë së Kosovës në veri si “profesional dhe stabilizues”.

Profesori amerikan Daniel Serwer paralajmëron se Donald Trump, nëse rikthehet në pushtet, mund të shtyjë për ndarjen e Kosovës si pjesë e një shkëmbimi territorial me Serbinë – një ide që ai e konsideron të rrezikshme dhe destabilizuese. Ai kritikon dialogun politik, por lavdëron progresin teknik dhe kërkon heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.
