Vetëm dy orë pasi armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit u shpall nga Presidenti amerikan Donald Trump si një marrëveshje “e plotë dhe e menjëhershme”, tensionet në rajon janë rindezur. Ushtria izraelite njoftoi të martën se disa raketa janë lëshuar nga territori iranian, duke përbërë një shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes së armëpushimit.
Sipas burimeve nga Associated Press, forcat izraelite të mbrojtjes janë vendosur në gjendje gatishmërie të lartë, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar për të neutralizuar kërcënimin. Autoritetet kanë urdhëruar qytetarët në disa zona të futen në strehimore dhe të mos dalin prej andej deri në një njoftim të dytë.
Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga ana e Iranit për ndonjë sulm me raketa, ndërkohë që Tel Avivi thotë se incidenti ndodhi pak orë pas pranimit të armëpushimit nga vetë autoritetet iraniane.
Ky zhvillim vjen vetëm pak orë pasi Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Aragchi, deklaroi publikisht se Teherani është i gatshëm të ndalë sulmet, për sa kohë që edhe Izraeli ndalon çdo veprim ushtarak. Tani, kjo deklaratë vihet në pikëpyetje nga autoritetet izraelite.

Foto:Ilustrim
Ky incident mund të përbëjë një kthesë të rrezikshme në përpjekjet për de-përshkallëzimin e konfliktit. Edhe pse armëpushimi u cilësua si një sukses diplomatik nga Presidenti Trump, palët në terren vazhdojnë të mos kenë besim tek njëra-tjetra. Nëse akuzat izraelite konfirmohen, besueshmëria e Iranit në këtë proces del e lënduar. Nga ana tjetër, nëse sulmi nuk ka ardhur nga autoritetet shtetërore iraniane, mund të tregojë për tensione të brendshme apo ndikim të grupeve të armatosura që veprojnë jashtë kontrollit të qeverisë në Teheran.
