Friday, June 19, 2026
HomeEkonomiPishina e Gërmisë hap dyert për qytetarët e Prishtinës: Çmimet mbeten të...

Pishina e Gërmisë hap dyert për qytetarët e Prishtinës: Çmimet mbeten të njëjta, ambient i pastër dhe i sigurt

Pishina e njohur e Gërmisë në Prishtinë ka hapur sot, më 8 korrik, dyert për qytetarët, duke nisur zyrtarisht sezonin veror të freskimit dhe relaksit në një nga ambientet më të frekuentuara të kryeqytetit. Pas disa javësh pritjeje të shkaktuara nga mungesa e ujit për shkak të thatësirës në burimet natyrore, pishina tashmë është funksionale dhe e gatshme të presë vizitorë nga Prishtina dhe më gjerë.

Medina Krasniqi-Mushica, udhëheqëse e departamentit të pishinës së Gërmisë, në një deklaratë për Ekonomia Online, ka bërë të ditur se të gjitha përgatitjet janë kryer dhe ambienti është i pastër, i sigurt dhe i përshtatshëm për të gjithë ata që duan të kalojnë momente të këndshme gjatë ditëve të nxehta të verës.

“Sot i kemi hapur dyert për qytetarët e Prishtinës. Është hapur pishina dhe jemi shumë të lumtur që kemi mundur të sigurojmë një ambient shumë të pastër, relaksues dhe të sigurt për qytetarët e Prishtinës. Sfidë kemi pasur vetëm në mbushjen e ujit për arsye të thatësirave, diçka tjetër nuk kemi pasur. Kemi qenë të përgatitur për hapjen e sezonit”, tha Krasniqi-Mushica.

Ajo theksoi se çmimet për hyrje nuk kanë ndryshuar krahasuar me vitet e kaluara, duke mbetur të përballueshme për të gjitha shtresat e qytetarëve. Për të rriturit, hyrja gjatë ditëve të javës kushton 4 euro, ndërsa për fëmijët 2 euro. Në fundjavë, çmimi për të rritur rritet në 5 euro, ndërsa për fëmijët mbetet 2 euro. Një gjest pozitiv për grupet e ndjeshme është që pensionistët dhe fëmijët nën gjashtë vjeç mund të hyjnë pa pagesë.

“Sot ka qenë mjaft mirë dhe besoj që do të ketë interesim shumë të madh të vizitorëve dhe i ftoj të gjithë qytetarët që të freskohen në pishinën e Gërmisë. Një ambient i mrekullueshëm në mes maleve të Gërmisë, ajër i pastër dhe ujë i mrekullueshëm”, shtoi Krasniqi-Mushica.

Pishina e Gërmisë, e vendosur në parkun e njohur të Gërmisë, është një nga pikat më të preferuara të pushimit për qytetarët e Prishtinës gjatë verës. E rrethuar nga gjelbërimi dhe ajri i pastër i maleve, kjo hapësirë është kthyer në një destinacion të rëndësishëm për relaks, sporte ujore dhe pushime familjare.

Autoritetet lokale apelojnë te qytetarët që të respektojnë rregullat e sigurisë dhe higjienës gjatë qëndrimit në pishinë, si dhe të kujdesen për ambientin përreth, duke ruajtur pastërtinë dhe qetësinë që karakterizon këtë zonë.

Në ditët në vijim, pritet që frekuentimi i pishinës të rritet ndjeshëm, për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin. Prindërit këshillohen të kenë kujdes të shtuar për fëmijët gjatë përdorimit të pishinës, ndërsa vizitorët të përdorin pajisjet e nevojshme për not dhe mbrojtjen nga dielli.

Pishina do të jetë e hapur çdo ditë, nga orët e para të mëngjesit deri në mbrëmje, duke ofruar mundësi relaksi dhe freskimi për të gjithë ata që duan t’i shpëtojnë vapës së verës, pa u larguar nga kryeqyteti.

Për çdo njoftim shtesë, qytetarët mund të informohen përmes kanaleve zyrtare të Komunës së Prishtinës dhe departamentit të pishinës së Gërmisë

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments