Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është raportuar të jetë helmuar pas konsumimit të një ushqimi të prishur, çka ka shkaktuar një infeksion në zorrën e trashë. Lajmi është bërë i ditur gjatë ditës së diel dhe ka ngjallur shqetësime për gjendjen e tij shëndetësore.
Në një prononcim për emisionin “Ora Shtatë”, shqiptarja që jeton në Izrael, Ita Gani, sqaroi se Netanyahu ndodhet nën kujdes mjekësor të specializuar, por nuk është i shtrirë në spital. Sipas saj, të gjitha shërbimet mjekësore po i kryhen në shtëpinë e tij.
“Ai ka një infeksion në zorrën e trashë si pasojë e konsumimit të një ushqimi të prishur. Megjithatë, nuk është në spital dhe do të vazhdojë punën nga shtëpia”, u shpreh Gani.
Ndonëse gjendja e kryeministrit nuk konsiderohet kritike, ky incident vjen në një periudhë të ndjeshme politike dhe me ngarkesa të mëdha për qeverinë izraelite, e cila po përballet me zhvillime të tensionuara si brenda vendit, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.

Ky incident shëndetësor i Netanyahut vjen në një kohë kur ai përballet me presione të forta si brenda kabinetit, ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar për krizën në Gaza dhe zhvillimet politike në rajon. Edhe pse nuk është rrezik për jetën, fakti që një helmim i tillë ndodhi përmes ushqimit, shton pyetje për sigurinë ushqimore të liderëve dhe kontrollin që ushtrohet mbi ambientin e tyre privat.
