Një video e postuar në rrjetet sociale ka ngritur shqetësim në opinionin publik në Shkup, ku shihen disa adoleshentë duke rrezikuar seriozisht jetët e tyre si dhe sigurinë në komunikacion.
Sipas pamjeve, adoleshentët janë ngjitur mbi një veturë pa targa dhe kryejnë lëvizjet e trendit më të fundit në rrjet, të njohur si “Kultivimi i aurës”. Ky trend është bërë i famshëm pasi u performua për herë të parë në një varkë nga influenceri indonezian Rayyan Arkan Dikha, dhe më pas u përhap me shpejtësi në mbarë botën.
Por në vend të një ambienti të sigurt, këta të rinj kanë zgjedhur një mënyrë të rrezikshme për të ndjekur trendin – në mes të rrugës dhe mbi një veturë të paligjshme, pa asnjë masë sigurie. Ky veprim jo vetëm që shkel rregullat e trafikut, por edhe vë në rrezik jetën e tyre dhe të të tjerëve.
Autoritetet në Maqedoninë e Veriut nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare, por raste të tilla gjithnjë e më shumë po ngjallin thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim të menjëhershëm për mbrojtjen e të rinjve nga ndikimet e rrezikshme të rrjeteve sociale.
Ekspertët e komunikacionit dhe psikologët apelojnë për edukim më të mirë të të rinjve mbi pasojat që sjell ndjekja e verbër e trendeve virale, sidomos kur ato përfshijnë rrezikim të sigurisë personale apo shkelje të ligjit.
