Në lagjen e Boshnjakëve të Mitrovicës së Veriut ka nisur projekti për ndërtimin e një objekti të ri arsimor, që do të shërbejë si shkollë dhe çerdhe për afër 500 fëmijë. Objekti pritet të përfundojë në pranverën e vitit 2027.
Sipas njoftimit të kryeministrit Albin Kurti, investimi kap vlerën e 4.1 milionë eurove dhe po financohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
Shkolla dhe çerdhja do të shtrihen në një sipërfaqe prej rreth 2,500 metrash katrorë, duke ofruar kushte moderne për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Ky projekt është vlerësuar si i domosdoshëm për komunitetin lokal dhe si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar qasjen në arsim në pjesën veriore të vendit.
“Ky investim është sa i nevojshëm, aq edhe i mirëseardhur për banorët atje. Urime e punime të mbara!”, ka shkruar Kurti në një postim publik.
Ndërtimi i shkollës dhe çerdhes pritet të sjellë lehtësira të mëdha për familjet e zonës, duke krijuar hapësira të sigurta dhe bashkëkohore për edukimin e fëmijëve.

Burimi i fotos: Screenshot nga video e publikuar nga Albin Kurti
