Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka tërhequr vërejtjen Bashkimit Evropian për rrezikun që paraqet projekti “Bota Serbe”, duke e cilësuar atë si një emërtim të ri të projektit “Serbia e Madhe”.
Në një prononcim për agjencinë bullgare BGNES, Radev theksoi se është koha që institucionet evropiane të marrin më seriozisht këtë çështje, pasi Ballkani Perëndimor mbetet një rajon delikat për sigurinë e Evropës.
“Siç e dini, Ballkani Perëndimor është një pikë kritike për sigurinë, dhe gjithë vëmendja e Bashkimit Evropian është e përqendruar atje. Mendoj se ka ardhur koha që të gjitha institucionet evropiane të angazhohen më seriozisht me këtë çështje. Ajo është jashtëzakonisht e ndjeshme edhe për ne”, ka deklaruar Radev.
Sipas tij, projekti “Bota Serbe” ka për qëllim të ushtrojë kontroll mbi shtetet fqinje të Serbisë, përfshirë Bosnjën, Kroacinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Ai ka shtuar se Kisha Ortodokse Serbe është një nga instrumentet kryesore për realizimin e këtij qëllimi.
“‘Bota Serbe’ është emërtimi i ri i projektit ‘Serbia e Madhe’. Ai synon kontrollin e shteteve fqinje, përmes ndikimit politik, kulturor dhe fetar. Instrumenti kryesor për realizimin e tij është Kisha Ortodokse Serbe,” ka theksuar presidenti bullgar.
Deklaratat e Radev-it janë një sinjal paralajmërues për Bashkimin Evropian se ndikimi serb në rajon po rritet në mënyrë të strukturuar dhe të organizuar.
Për Kosovën, ky projekt përbën një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe integritetit të saj territorial, sidomos përmes përpjekjeve të Beogradit për të ushtruar ndikim mbi komunitetin serb në veri të vendit.
Ndërkohë, heshtja e institucioneve evropiane ndaj projekteve të tilla mund të krijojë terren për tensione të reja në Ballkan, veçanërisht në një kohë kur rajoni po kërkon stabilitet, integrim dhe zhvillim.
Angazhimi më i fortë i BE-së dhe SHBA-së është kyç për të parandaluar përhapjen e ideve që rrezikojnë paqen në Ballkanin Perëndimor.
