Një aksident fatal i ka marrë jetën një të reje nga Kosova në Gjermani, duke lënë pas dhimbje të madhe për familjen dhe të afërmit e saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në autostradën B28, pranë qytetit Reutlingen, ku 21-vjeçarja Yllka Hoti humbi jetën si pasojë e një vetaksidenti tragjik.
Mediat gjermane raportojnë se aksidenti ndodhi të enjten, kur Yllka, e cila po udhëtonte nga Metzingen drejt Reutlingen, dyshohet se humbi kontrollin mbi automjetin. Si pasojë, makina doli nga rruga dhe u përmbys disa herë, duke u shkatërruar plotësisht. Për fat të keq, e reja nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda, pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të ndihmës së shpejtë.
Lajmin e hidhur e kanë konfirmuar familjarët e saj përmes rrjeteve sociale, duke ndarë me miqtë dhe të njohurit dhimbjen e madhe për humbjen e parakohshme të Yllkës. Ata kanë njoftuar se ceremonia e varrimit do të mbahet nesër në vendlindjen e saj, në fshatin Hoçë e Vogël të Rahovecit, ku shumë të afërm dhe banorë pritet ta përcjellin për në banesën e fundit.
Rasti ka prekur jo vetëm familjen Hoti, por edhe shumë bashkatdhetarë të cilët kanë reaguar me mesazhe ngushëllimi dhe mbështetje për familjen që po kalon këtë dhimbje të papërshkrueshme.
Ngushëllime të sinqerta për familjen Hoti dhe të gjithë ata që e njohën Yllkën. Zoti e mëshiroftë dhe e prehtë në paqe!
