Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje në Podgoricë, ku garuesi nga Kosova, Shkëlzen Goqi, është diskualifikuar nga një garë tradicionale kërcimesh në ujë, e zhvilluar në “Urën e Vezirovit”.
Goqi, i njohur për kërcimet e tij spektakolare nga lartësi të mëdha dhe me origjinë nga Gjakova, para se të hidhej, bëri simbolin e shqiponjës dykrenare me duar — një gjest identitar që sportistët shqiptarë shpesh e përdorin për të shprehur krenarinë kombëtare.
Sipas mediave malazeze, ky gjest është interpretuar si provokim nga një pjesë e publikut, i cili reagoi me fishkëllima, ndërsa juria vendosi diskualifikimin e tij duke argumentuar se kjo përbën “shkelje të rregullave të manifestimit”.
Vendimin e ka konfirmuar edhe sekretari për sport i Podgoricës, Darko Nikçeviq, i cili theksoi se “rregullat ndalojnë qartë shfaqjen e simboleve ose porosive me natyrë politike, kombëtare apo të tjera të ngjashme”.
Pavarësisht reagimeve, vetë Shkëlzen Goqi ende nuk ka dhënë një prononcim publik mbi këtë vendim që ka ngjallur debat mes sportistëve dhe qytetarëve nga Kosova e më gjerë.
