Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në xhaminë Al-Aksa, një prej vendeve më të shenjta të Islamit, ku ministri izraelit Itamar Ben Gvir është filmuar duke u lutur për “fitoren e Izraelit në luftë”. Ky veprim ka ngjallur një valë të madhe reagimesh dhe zemërim në mbarë botën myslimane.
Veprimi u dënua menjëherë nga Ministria Palestineze e Çështjeve Fetare, e cila e cilësoi Ben Gvir si një “ekstremist” dhe deklaroi se ky gjest “shkel ndjenjat e myslimanëve anembanë globit”.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se vendet e shenjta islame po përballen çdo ditë me provokime dhe shkelje të vazhdueshme nga grupe kolonësh të mbështetur nga qeveria izraelite e djathtë ekstreme, e cila ka një plan të qartë për të marrë nën kontroll vendet e shenjta si islame ashtu edhe të krishtera.
Jordania dhe Arabia Saudite reaguan me tone të ashpra, duke e dënuar incidentin. Ministria e Jashtme e Jordanisë e cilësoi ngjarjen si “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe provokim të papranueshëm”.
Ndërkohë, Hamasi e ka quajtur këtë akt “një krim të rëndë dhe një përshkallëzim të qëllimshëm kundër xhamisë së shenjtë”.
Përballë reagimeve të ashpra, Zyra e Kryeministrit të Izraelit deklaroi se “politika e ruajtjes së status quo-së në Tempullin e Shenjtë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë”, duke theksuar se vendimet në lidhje me politikat fetare i merr qeveria, jo individët.
Për më tepër, më herët këtë javë, Holanda shpalli Ben Gvir si persona non grata, për nxitje të dhunës ndaj palestinezëve dhe thirrje për “spastrim etnik në Gaza”. Ai është gjithashtu nën sanksione nga Australia, Kanadaja, Zelanda e Re, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar, bashkë me ministrin izraelit të Financave, Bezalel Smotrich.
