TIRANË – Një version satirik i Kodit të ri Penal shqiptar po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke sjellë një lehtësim të madh për mijëra beqarë në vend. Sipas këtij “neni të pazakontë”, e ashtuquajtura “Martesa me zor verbale” do të dënohet me gjobë të majme dhe deri në 3 vite burg.
Neni fiktiv 15023, që ndalon çdo formë presioni verbal për martesë, ka për qëllim të mbrojë shëndetin mendor të beqarëve, të cilët gjatë çdo dreke familjare, vizite apo dasme, përballen me pyetjet e zakonshme:
👉 “Kur ke ndërmend të martohesh?”
👉 “Mos do mbetesh vetëm kështu?”
👉 “Të gjitha shoqet u martuan, ti çka pret?”
Sipas versionit humoristik, çdo individ që me ngulm i bën këto pyetje një shtetasi mbi moshën 30 vjeç, rrezikon:
- Gjobë nga 200 mijë deri në 3 milionë lekë
- Deri në 2 vite burg, nëse pyetjet bëhen gjatë drekës së së dielës, në një dasmë apo tjetër tubim familjar
- Deri në 3 vite burg, nëse viktima është mbi 30 vjeç dhe është shpallur i pambrojtur emocionalisht nga fraza si “Po plakesh”, “Të gjitha u martuan”, “Do rrish vetëm?”.
Një përjashtim i vetëm është bërë për gjyshërit, por vetëm në rast se pyetja për martesë përfshin fjalinë:
“Para se të mbyll sytë, dua të të shoh të martuar…”
Kjo iniciativë satirike, e shpërndarë masivisht në rrjet, vjen si reagim humoristik ndaj presioneve sociale që ndiejnë të rinjtë shqiptarë – veçanërisht në periudha festash e ngjarjesh familjare, ku martesa është temë e pashmangshme.
