Prishtinë, 16 gusht 2025 – Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj politikave të Qeverisë në sektorin e energjisë, duke i quajtur ato “skemë shkatërruese” që po rrezikon të dëmtojë rëndë ekonominë e vendit.
Sipas tij, në vend të reformave dhe krijimit të kapaciteteve të reja prodhuese, vendi është duke u përballur me monopole të krijuara nga vendimet politike, ndërsa bizneset po përjetojnë shkyçje nga rrjeti.
Tahiri paralajmëroi se pasojat janë alarmante: mbi 1,000 kompani janë në prag të mbylljes, duke rrezikuar mbi 120 mijë vende pune dhe familjet e tyre, ndërsa rritja e çmimeve të energjisë pritet të rëndojë edhe më shumë qytetarët.
“Institucionet që duhet të mbrojnë interesin publik, Qeveria dhe ZRRE-ja, janë shndërruar në vet problemin. Në vend të mbikëqyrjes dhe gjetjes së zgjidhjeve që reflektojnë realitetin në Kosovë, kemi policinë që shkon për të shkyçur bizneset. Kjo tregon dështimin e plotë të qeverisjes”, ka deklaruar Tahiri.
Ai theksoi se pa veprime të menjëhershme, vendi rrezikon humbjen e kapaciteteve prodhuese, falimentim të sektorit privat dhe humbjen e shpresës për zhvillim ekonomik.
“Pa energji nuk ka prodhim, nuk ka punësim dhe nuk ka sektor privat funksional. Nëse kjo politikë nuk ndalet, Kosova rrezikon falimentim ekonomik”, shtoi ai.
Tahiri kërkoi që qeveria të ndërmarrë masa urgjente për të rikthyer stabilitetin në sektorin energjetik dhe për të siguruar furnizim të qëndrueshëm për bizneset dhe qytetarët.
