Një aksident tragjik ndodhi në autostradën A3 midis Velburg dhe Parsberg në Gjermani, ku një nënë dhe foshnja e saj humbën jetën. Shiu i dendur dhe kushtet e vështira të motit duket se shkaktuan humbjen e kontrollit të makinës, e cila përfundoi në një gropë.
Hannes Raithel, zëdhënës i Shoqatës së Kryqit të Kuq të Qarkut Neumarkt, tha: “Në fillim situata ishte shumë e paqartë, ndaj u aktivizuan menjëherë shumë forca emergjente.”
Sipas raportimeve, makina ishte përmbysur dhe brenda saj ndodheshin dy fëmijë dhe prindërit. Njësitë policore që udhëtonin në drejtim të kundërt ndaluan për të dhënë ndihmën e parë. Megjithatë, për nënën dhe foshnjën çdo përpjekje ishte e kotë.
Babai 30-vjeçar dhe fëmija tjetër trevjeçar mbijetuan, por u plagosën dhe u dërguan për trajtim në spital. Ata janë në gjendje stabile dhe nën kujdesin e mjekëve, raporton Bild, duke cituar Jörg Zitzelsberger, drejtues i stacionit policor për autostradën në Parsberg.
Shkaku i aksidentit është ende nën hetim, por autoritetet dyshojnë se fenomeni i aquaplaning-ut, ku gomat humbasin kontaktin me rrugën për shkak të ujit të grumbulluar, mund të ketë kontribuar në përplasjen. Aksidenti ndodhi pasditen e së shtunës, kur shiu i dendur e vështirësoi edhe operacionin e shpëtimit.
Jürgen Kohl, kreu i shërbimit të zjarrfikësve në Qarkun Neumarkt, tha: “Këto kushte janë gjithmonë sfiduese për zjarrfikësit.”
Për pasojë, autostrada A3 drejt Passau mbeti e mbyllur për disa orë. Policia e trafikut në Parsberg po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
