Saturday, April 18, 2026
HomeLajmeEkspertët: Harroni peshoren, përqendrohuni në lëvizje – ja pse kjo qasje po...

Ekspertët: Harroni peshoren, përqendrohuni në lëvizje – ja pse kjo qasje po ndryshon gjithçka

Në një shoqëri ku imazhi dhe dieta janë bërë pothuajse obsesion, ekspertët po paralajmërojnë se fokusi i vërtetë për shëndetin nuk duhet të jetë pesha, por lëvizja dhe aktiviteti fizik.

Sipas të dhënave nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), më shumë se 40% e të rriturve në SHBA sot vuajnë nga obeziteti. Ky realitet ka nxitur një industri gjigante të humbjes së peshës, që në vitin 2022 vlerësohej në 143 miliardë dollarë, ndërsa deri në vitin 2030 pritet të arrijë në 299 miliardë dollarë.

Por, përkundër shifrave marramendëse, ekspertët e shëndetit theksojnë se numrat në peshore nuk janë treguesi më i rëndësishëm i shëndetit. Dr. Lisa Erlanger, profesoreshë e mjekësisë familjare në Universitetin e Washington-it, thekson se ekzistojnë mënyra të shumta për të përmirësuar shëndetin, pa u fiksuar pas peshës trupore.

“Vetëm rritja e numrit të hapave ose forcimi i muskujve në mënyrë të qëndrueshme ul rrezikun e kancerit, depresionit, diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare,” – deklaron ajo.

Një analizë e vitit 2024 tregon se dietat nuk japin rezultate afatgjata: shumica e njerëzve e rifitojnë peshën e humbur brenda pak vitesh. Kështu, përfitimet shëndetësore që lidhen me rënien në peshë zhduken me kohën.

Profesori Glenn Gaesser nga Universiteti Shtetëror i Arizonës thekson se shkaqet e obezitetit janë shumë më komplekse sesa “ushqimi i tepërt dhe mungesa e aktivitetit”. Ai përmend ndikimin e kimikateve moderne si plastikat, pesticidet, dhe substancat “PFAS” që ndikojnë në sistemin hormonal, si dhe rolin e viruseve si adenovirusi 36 që lidhen me shtimin në peshë.

“Obeziteti nuk është thjesht çështje e kalorisë që futet dhe asaj që digjet,” – thotë Gaesser.

Dr. Erlanger shton se dietat e rrepta jo vetëm që nuk funksionojnë, por mund të dëmtojnë trupin dhe mendjen.

“Kur trupi ndien mungesë energjie, metabolizmi ngadalësohet dhe truri nxit dëshira për ushqim me kalori të lartë. Kjo është mënyra e trupit për të mbijetuar,” – shpjegon ajo.

Ky cikël i humbjes dhe rifitimit të peshës, i njohur si “yo-yo dieting”, është lidhur me rreziqe të shumta: sëmundje të zemrës, diabet, fraktura kockash dhe madje disa lloje kanceri.

Ekspertët pajtohen se fokusi duhet të zhvendoset nga dieta tek aktiviteti fizik.

“Nëse dëshiron të përmirësosh shëndetin tënd, mos bëj dietë – dil për ecje,” – këshillon Erlanger.

Në vend që të mbyllemi në përpjekje për të qenë më të dobët, ata sugjerojnë të kërkojmë mënyra për të qenë më aktivë: ecje, biçikletë, vallëzim, apo thjesht punë në kopsht. Lëvizja, thonë ata, ndikon pozitivisht në çdo qelizë të trupit.


“Mund të jesh i shëndetshëm dhe në formë, edhe nëse pesha jote nuk është ajo ‘ideale’,” – përfundon Gaesser.

Në fund, mesazhi është i qartë: shëndeti nuk matet me kilogramë, por me energjinë dhe vitalitetin që sjell lëvizja.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments