Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Ditën e Forcës duke theksuar arritjet e mëdha në pajisjen dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë katër viteve të fundit.
“Dita e Forcës na gjen më të fortë se kurrë më parë. Mbi 430 milionë euro është investimi në armatim dhe pajisje në këto katër vitet e fundit. Më përpara, ushtria jonë ka qenë më pak e pajisur edhe se vetë Policia e Kosovës,” tha Kurti.

Ai shtoi se tani FSK është e pajisur me teknologji moderne, përfshirë:
- Dronë Skydagger dhe TB-2 Bayraktar nga Turqia
- Puma dhe sistem anti-tank Javelin nga SHBA
- Së shpejti do të ketë fabrikë të municionit dhe dronëve “Made in Kosova”, si dhe helikopterë Black Hawk nga SHBA

Kurti theksoi rëndësinë e këtij modernizimi për sigurinë e breznive të reja: “Me këtë ushtri të pajisur kaq mirë, brezat e rinj jetojnë të sigurtë, në paqe, zhvillohen dhe lulëzojnë.”

Ai gjithashtu falënderoi aleatët e Kosovës: NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe oficerët, nënoficerët dhe ushtarët që shërbejnë për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve edhe në ditë feste.
Urime Dita e Forcës, 27 nëntori!


