Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Republika e Kosovës ka marrë një njohje të re ndërkombëtare nga Commonwealth of The Bahamas, duke e çuar në 121 numrin e shteteve që e njohin pavarësinë dhe sovranitetin e saj.
Përmes një postimi publik, Kurti theksoi se pas një periudhe të gjatë pa njohje të reja, viti 2025 po shënon rikthim të rëndësishëm në këtë drejtim diplomatik, duke e cilësuar atë si vit të njohjeve të reja për Kosovën.
Në deklaratën e tij, kryeministri shkroi:
“Viti 2024 ishte viti i pasaportës sonë. Viti 2025 është viti i njohjeve të reja, pas një kohe të gjatë. Bahamas bëhet shteti i katërt sivjet dhe i 121-ti që e njeh Republikën tonë si shtet të pavarur dhe sovran.”
Ai shprehu gjithashtu urime për qytetarët e Kosovës dhe mirënjohje të veçantë për presidenten Vjosa Osmani, institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë për kontributin e tyre në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
“Urime të gjithë qytetarëve dhe një mirënjohje e veçantë për presidenten tonë, Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët tanë për një tjetër arritje në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar,” theksoi Kurti.
Sipas tij, kjo njohje e re hap rrugë për bashkëpunime të reja ndërkombëtare dhe partneritete të sinqerta mes dy vendeve.
“Kosovës po i shtohen miqësitë e reja dhe, bashkë me to, edhe mundësitë e bashkëpunimit. Mezi presim që njohjen e ndërsjellë ta kthejmë në partneritet të sinqertë me shtetin dhe popullin e Bahamas,” përfundoi kryeministri.
Njohja nga Bahamas konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm diplomatik për Kosovën, në përpjekjet e vazhdueshme për konsolidimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare.

