Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar sot se Komonuellthi i Bahamas, shtet nga rajoni i Karaibeve, ka marrë vendim zyrtar për të njohur pavarësinë e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i 121-të që e njeh Republikën e Kosovës.
Vendimi ka nxitur reagim të menjëhershëm nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, e cila e ka dënuar ashpër njohjen e Kosovës nga Bahamas, raporton Klankosova.tv.
Sipas MPJ-së serbe, ky hap përbën, sipas tyre, një shkelje të rëndë të rendit juridik ndërkombëtar të bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara.
“Vendimi i autoriteteve të Komonuelthit të Bahamas vlerësohet si veçanërisht joproduktiv në kontekstin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, pasi përfaqëson një veprim të njëanshëm që e rrezikon drejtpërdrejt këtë proces”, thuhet në reagimin zyrtar të MPJ-së serbe.
Në fund, autoritetet serbe u kanë bërë thirrje institucioneve të Bahamas që ta rishqyrtojnë vendimin, duke theksuar se, sipas tyre, respektimi i parimeve të së drejtës ndërkombëtare mbetet thelbësor për stabilitetin dhe paqen në marrëdhëniet ndërkombëtare.
