Korporata Energjetike e Kosovës ka intensifikuar investimet energjetike në Termocentralin Kosova B, duke kaluar shifrën e 130 milionë eurove në projekte modernizimi dhe rehabilitimi. Këto investime synojnë rritjen e prodhimit të energjisë elektrike, përmirësimin e sigurisë energjetike dhe uljen e ndotjes mjedisore, në një nga asetet kryesore të sektorit energjetik në Kosovë.
Sipas KEK, projektet janë ndërtuar mbi studimin e fizibilitetit për reduktimin e ndotjes mjedisore dhe zgjatjen e jetëgjatësisë së njësive në Termocentralin Kosova B, i financuar nga Bashkimi Evropian gjatë viteve 2016–2017. Ky studim ka shërbyer si bazë për ndërhyrje teknike që synojnë stabilitet afatgjatë të sistemit energjetik të Kosovës.
Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme përfshin modernizimin e turbinave, me zëvendësimin e plotë të turbinave me presion të lartë dhe të ulët, si dhe riparimin kapital të turbinës me presion të ndërmjetëm. Këto investime kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit energjetik dhe fuqisë prodhuese.
KEK bën të ditur se modernizimi i njësisë B2 ka dhënë rezultate konkrete. Gjatë testimeve të fuqisë, gjeneratori ka arritur kapacitet prej 345 MW, ndërsa aktualisht njësia operon me 310–320 MW, varësisht nga kërkesa ditore për energji elektrike.
Paralelisht me modernizimin teknik, janë planifikuar edhe investime mjedisore, të financuara përmes fondeve IPA të Bashkimit Evropian. Këto projekte përfshijnë filtra elektrostatikë, përmirësimin e transportit të hirit dhe zbatimin e sistemit DeNOx, që synon reduktimin e emetimeve ndotëse.
Sipas planifikimeve zyrtare, këto projekte pritet të realizohen gjatë viteve 2026–2027, duke e afruar Kosova B me standardet evropiane për prodhimin e energjisë së qëndrueshme.
