Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, duke i cilësuar ato si gjuhë që ushqen urrejtje dhe tension në shoqëri.
Në një reagim publik, Çitaku ndalet te shprehja e përdorur nga Konjufca, “Tokë të zezë kemi me i ba”, duke ngritur pyetje të drejtpërdrejta mbi domethënien dhe adresimin e saj. Sipas saj, kjo retorikë lë hapësirë për interpretime shqetësuese.
“Kënd saktësisht? Qytetarët që nuk i votojnë? Institucionet që nuk u nënshtrohen? Apo këdo që mendon ndryshe?”, shkruan Çitaku.
Ajo thekson se qytetarët e Kosovës janë të lodhur nga gjuha kërcënuese, fyese dhe përçarëse, e cila – sipas saj – prodhon frikë dhe urrejtje, në vend që të ofrojë shpresë dhe alternativa reale politike.
“Ky vend dhe ky popull janë ngopur me retorikë që ndan, përjashton dhe cenon kohezionin shoqëror. Kosova ka nevojë për maturi dhe respekt në diskursin publik”, vlerëson ajo.
Në fund të reagimit, Çitaku lëshon një mesazh të prerë drejt qeverisjes aktuale, duke kërkuar përgjegjësi dhe rezultate konkrete.
“Nëse nuk keni rezultate për të treguar, së paku mos e ndotni edhe më tej diskursin publik. Kosova ka nevojë për qeverisje, respekt dhe përgjegjësi – jo për kërcënime dhe arrogancë”, përfundon Çitaku.
Reagimi i saj vjen në një klimë të tensionuar politike, ku gjuha e përdorur nga përfaqësuesit institucionalë po ngjall debat të gjerë publik dhe reagime të forta nga spektri opozitar.
