Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dardan Krasniqi, ka deklaruar se institucionet e Kosovës kishin njohuri paraprake për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, që ndodhi në shtator 2023.
Sipas Krasniqit, qeveria kishte informacion katër ditë përpara se sulmi të ndodhte. Në këtë ngjarje tragjike u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa tre sulmues humbën jetën gjatë përballjes me autoritetet.
“Qeveria jonë e ka pas informatën 4 ditë më herët se do të ndodh Banjskë. Po e them fjalën publike, institucionet tona kanë pas informacione që do të ndodh,” ka thënë Krasniqi në një intervistë për RTV Dukagjini.
Dardan Krasniqi është kunati i ish-Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, dhe vëllai i Alban Krasniqit, anëtar i LVV-së në KQZ.
Sulmi në Banjskë u cilësua si akt terrorist nga autoritetet e Kosovës. Përgjegjësinë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili aktualisht është në arrati. Ai dhe 41 persona të tjerë akuzohen për terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radojçiq është edhe nën akuza për financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.
Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar fuqishëm sulmin dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Ky deklarim vjen në një kohë kur tensionet politike në vend janë të larta dhe ngjarjet e vitit të kaluar po analizohen nga publiku dhe institucionet. Informacioni i pretreguar për sulmin shton pyetje rreth përgjegjësisë së institucioneve dhe gatishmërisë së qeverisë për t’u përballur me kërcënimet serioze ndaj sigurisë.
