Presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton “një gamë opsionesh” për të siguruar kontrollin mbi Grenlandën, duke përfshirë edhe ndërhyrjen ushtarake, njoftoi të martën Shtëpia e Bardhë.
Në një deklaratë për BBC-në, përfaqësues të administratës thanë se blerja e Grenlandës përbën një “prioritet të sigurisë kombëtare” për SHBA-të. Ky reagim vjen pas deklaratave të Trump gjatë fundjavës, në të cilat ai theksoi se Shtetet e Bashkuara “kishin nevojë” për këtë territor gjysmë-autonom danez për arsye strategjike.
Komentet e SHBA-së kanë nxitur reagime nga aleatët evropianë. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, paralajmëroi se çdo veprim ushtarak nga SHBA do të rrezikonte marrëdhëniet brenda NATO-s.
Të martën, gjashtë vende evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Italinë, Poloninë dhe Spanjën, dolën me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të Danimarkës. Ata theksuan se Grenlanda i përket popullit të saj dhe se çdo vendim duhet të merret vetëm nga autoritetet daneze dhe ato lokale të Grenlandës.
Udhëheqësit evropianë nënvizuan se siguria e Arktikut duhet të mbahet përmes bashkëpunimit brenda NATO-s, duke përfshirë SHBA-të, dhe kërkuan respektimin e parimeve të Kartës së OKB-së, përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve.
