KESCO ka njoftuar konsumatorët për situatën aktuale në sistemin elektroenergjetik, i cili po përballet me një rritje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, që aktualisht nuk mund të mbulohet plotësisht nga prodhimi vendor.
Për shkak të kësaj situate, rreth 50% e energjisë po sigurohet përmes importit, në kushte të vështira të tregut rajonal dhe ndërkombëtar. Kapacitetet ndërkufitare janë të kufizuara, duke krijuar presion për mbulimin e kërkesës së vendit. Kufiri Kosovë–Serbi nuk funksionon në aspektin komercial, ndërsa kapacitetet me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha nevojat.
KESCO ka ndërmarrë të gjitha përpjekjet e mundshme për mbulimin e energjisë, përmes kontratave bilaterale, tregtimit një ditë para dhe ofertave brenda-ditore. Megjithatë, tregu ALPEX, për shkak të likuiditetit të kufizuar, nuk ka ofruar sasi të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e vendit.
Në këtë kontekst, KESCO njofton konsumatorët për arsyet objektive të kufizimeve me energji elektrike, me qëllim ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të sistemit elektroenergjetik. Furnizuesi mbetet i përkushtuar që, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, të bëjë çdo përpjekje për sigurimin e energjisë elektrike dhe minimizimin e ndikimit te konsumatorët, duke i falënderuar për mirëkuptimin gjatë këtyre rrethana të jashtëzakonshme.
