Saturday, June 20, 2026
HomeLajmeSorensen: Shpresoj që viti 2026 të sjellë atë që viti i kaluar...

Sorensen: Shpresoj që viti 2026 të sjellë atë që viti i kaluar nuk e solli

Pas takimeve të ndara me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar para mediave se shpreson që viti 2026 të sjellë rezultatet që viti 2025 nuk i dha.

“Shpresoj që viti 2026 do të sjellë atë që nuk e solli viti 2025. Për këtë arsye kam nisur këtë vizitë në Kosovë dhe më pas në Serbi,” tha Sorensen.

Ai nuk dha një përgjigje konkrete nëse do të zhvillohet një takim i nivelit të lartë këtë vit në Bruksel, duke shtuar: “Ne jemi këtu për t’i bërë palët të flasin dhe për të gjetur një mënyrë që kjo të ndodhë.”

Vizita e tij në Kosovë filloi me takim me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në orën 09:00, ndërsa pas kësaj vazhdoi me Presidenten Osmani në orën 10:00. Përveç kësaj, pritet që Sorensen të takohet edhe me përfaqësuesit e partive opozitare.

Pas qëndrimit në Prishtinë, emisari i BE-së pritet të udhëtojë për në Beograd, ku do të zhvillojë takime me udhëheqësit e Serbisë. Gjatë një viti si emisar, Sorensen ka zhvilluar vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh dhe ende nuk ka arritur të ndërmjetësojë një takim të nivelit të lartë mes dy udhëheqësve. Takimi i fundit mes kryeministrit kosovar dhe presidentit serb u mbajt më 14 shtator 2023 në Bruksel, por përfundoi pa ndonjë përparim të prekshëm.

Në mars të vitit 2026 bëhen tre vite nga marrëveshja e arritur në Ohër, Maqedoni e Veriut, ku dy liderët ranë dakord për zbatimin e Aneksit të Marrëveshjes Bazike të Brukselit. Marrëveshja me 11 nene parasheh normalizim të marrëdhënieve, njohje të simboleve shtetërore dhe një nivel vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë, por deri tani ajo nuk është zbatuar.

Procesi i dialogut Kosovë – Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur në vitin 2011 dhe ka përparuar nga çështjet teknike drejt nivelit politik, por sfidat për arritjen e marrëveshjeve përfundimtare vazhdojnë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments