Donald Trump shprehu mospajtimin e tij me deklaratat e Kryeministrit të Groenlandës, i cili të hënën bëri të qartë se ishulli zgjedh të mbetet pjesë e Danimarkës dhe jo të kalojë nën ndikimin e Shteteve të Bashkuara.
Presidenti amerikan reagoi me ironi dhe paralajmërim: “Nuk pajtohem me të. Nuk e di kush është, nuk di asgjë për të, por kjo do të jetë një problem i madh për të.”
Ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës do të zhvillojnë sot bisedime në Shtëpinë e Bardhë me J.D. Vance dhe Marco Rubio, për të qetësuar tensionet rreth ishullit Arktik, një territor autonom që i përket Danimarkës, dhe të cilin Trump dëshiron ta vendosë nën kontrollin e SHBA-së.
Sipas analizave të publikuara nga Politico, qëllimi i vërtetë i Trump mund të mos lidhet thjesht me sigurinë apo burimet natyrore të Groenlandës. Oferta e Danimarkës për vite me radhë për të lejuar investime amerikane në ishull është refuzuar nga Uashingtoni, dhe një forcim i pranisë ushtarake do të ishte i mundur me pëlqimin e Kopenhagenit, pa ngritur çështjen e sovranitetit.
Megjithatë, diplomatët evropianë sugjerojnë se Trump synon një dimension më personal dhe simbolik: të hyjë në histori si lideri që e bëri Amerikën “më të madhe”, duke dhënë debatit për Groenlandën një karakter politik dhe simbolik të fortë.
