Testimi i dronit “Skifteri” bëhet jashtë Kosovës, goditja ishte reale
Pas publikimit të pamjeve nga testimi i dronit kosovar “Skifteri”, i cili demonstron aftësi goditëse me rreze veprimi deri në 1 mijë kilometra, janë zbuluar detaje të reja lidhur me vendin dhe kushtet e testimit.
Ridvan Aliu, prodhuesi i dronëve, ka bërë të ditur për Telegrafin se testimi nuk është zhvilluar në Kosovë, por jashtë vendit, në lokacionin e klientit.
“Testimi është bërë jashtë Kosovës, në lokacionin e klientit. Goditja është e vërtetë, mirëpo për shkaqe të sigurisë edhe me kërkesë të klientit tonë, pamjet janë bërë invert dhe me night vision on. Më shumë informata nuk mundem të jap,” deklaroi Aliu.
Sipas Aliut, kufizimi i informacionit lidhet drejtpërdrejt me aspektet e sigurisë dhe marrëveshjen me klientin, ndërsa projekti konsiderohet i ndjeshëm për shkak të kapaciteteve teknologjike që posedon droni.
Karakteristikat e dronit “Skifteri K1”
Sipas të dhënave të publikuara, droni “Skifteri K1” ka:
- Kohë fluturimi: 7 orë e 12 minuta
- Rreze veprimi: mbi 1 mijë kilometra
- Kapacitet bartës: 42 kilogramë
Këto karakteristika e vendosin “Skifterin” në një kategori të avancuar dronësh me aftësi të larta për operacione të specializuara dhe goditje të largët.
Reagimi dhe interesimi publik
Publikimi i pamjeve të testimit ka ngjallur interes të madh publik dhe konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm për teknologjinë e mbrojtjes dhe inovacionin vendor. Ekspertët vlerësojnë se droni përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit të kapaciteteve të prodhimit të teknologjisë së mbrojtjes në Kosovë.
Ridvan Aliu ka nënvizuar se projekti vazhdon të jetë i kufizuar për publikun për të ruajtur sigurinë dhe konfidencialitetin teknik, duke theksuar se pamjet e publikuara tregojnë vetëm aftësitë operacionale të dronit, jo çdo detaj të funksionalitetit të tij.
Testimi i “Skifterit” jashtë Kosovës tregon se prodhimi vendor i dronëve ka arritur një nivel të lartë teknologjik. Goditja reale dhe karakteristikat e avancuara e bëjnë këtë projekt një referencë serioze për inovacionin dhe mbrojtjen e vendit.
