Udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian mblidhen mbrëmjen e 22 janarit në Bruksel në një samit urgjent, i thirrur pas tensioneve të fundit në marrëdhëniet transatlantike dhe kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave ndaj disa vendeve evropiane.
Edhe pse Trump më 21 janar hoqi dorë nga planet për tarifa, pas një takimi në Davos me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku u arrit një pajtim për kornizën e një marrëveshjeje lidhur me Grenlandën, liderët evropianë vendosën ta mbajnë samitin. Fillimisht, takimi ishte planifikuar për të përcaktuar një përgjigje të përbashkët ndaj presionit tregtar nga Uashingtoni, por tani pritet të zgjerohet në një diskutim më të gjerë strategjik.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në ftesën drejtuar krerëve të shteteve dhe qeverive, ka kërkuar një debat të hapur mbi sfidat aktuale në marrëdhëniet transatlantike, pasojat e tyre për BE-në dhe koordinimin e hapave të ardhshëm. Sipas tij, është e domosdoshme të qartësohet se sa i fortë, i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm mbetet partneriteti tregtar dhe aleanca ushtarake me Shtetet e Bashkuara.
Në këtë kontekst, Parlamenti Evropian më 21 janar pezulloi procesin e ratifikimit të marrëveshjes tregtare me SHBA-në, duke e lidhur vendimin me tensionet e krijuara rreth Grenlandës. Ky hap shihet si një sinjal politik se BE-ja është e gatshme të përdorë instrumente institucionale për të mbrojtur interesat e saj.
Fokusi kryesor i diskutimeve pritet të jetë Grenlanda. Udhëheqësit evropianë do të marrin informacione të detajuara nga Danimarka, ndërsa kryeministrja daneze ka deklaruar se vendi i saj është i gatshëm të diskutojë për sigurinë në Arktik, por insiston në respektimin e plotë të integritetit territorial. Çështja e Arktikut po merr gjithnjë e më shumë peshë strategjike, për shkak të interesave ushtarake, ekonomike dhe energjetike.
BE-ja synon që marrëdhëniet tregtare me SHBA-në të mbeten të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të sigurta. Megjithatë, sipas diplomatëve evropianë, blloku dëshiron të ketë gati kundërmasa të shpejta në rast se kërcënimet për tarifa rikthehen. Diskutimet do të përqendrohen edhe në mënyrën se si BE-ja mund të mbrojë industrinë dhe eksportet e saj pa përshkallëzuar konfliktin tregtar.
Në agjendë do të jetë edhe çështja e Bordit të ri për Paqe, një iniciativë e propozuar nga presidenti Trump. Aktualisht, Bashkimi Evropian heziton të marrë pjesë zyrtarisht në këtë trup, duke pritur sqarime shtesë nga pala amerikane dhe duke analizuar nëse pjesëmarrja është në përputhje me kushtetutat e disa vendeve anëtare.
Komisioni Evropian fillimisht e përshëndeti idenë, por brenda BE-së ka rezerva serioze, veçanërisht për faktin se në Bord janë ftuar edhe presidentët e Rusisë dhe Bjellorusisë, Vladimir Putin dhe Aleksandar Lukashenko. Për disa vende, kjo e bën iniciativën politikisht të papranueshme.
Megjithatë, një qëndrim i përbashkët duket i vështirë, pasi Bullgaria dhe Hungaria tashmë i janë bashkuar Bordit. Kjo pritet të hapë debat të fortë mes liderëve evropianë për unitetin politik të BE-së dhe rolin e saj në nismat ndërkombëtare të paqes.
Samiti i Brukselit shihet si një test i rëndësishëm për kohezionin e Bashkimit Evropian dhe për aftësinë e tij për të menaxhuar një marrëdhënie gjithnjë e më komplekse me administratën Trump, në një moment kur stabiliteti ekonomik dhe gjeopolitik është më i brishtë se kurrë.
