Monday, August 3, 2026
HomeShendetesi & ShoqeriIKSHPK: Vaksinimi mbetet mbrojtja më e fortë për shëndetin e fëmijëve

IKSHPK: Vaksinimi mbetet mbrojtja më e fortë për shëndetin e fëmijëve

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka ritheksuar se vaksinimi përbën një nga sukseset më të mëdha të shëndetit publik në Kosovë, duke luajtur një rol vendimtar në parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme tek fëmijët.

Sipas IKSHPK-së, për dekada me radhë vaksinimi i rregullt sipas kalendarit zyrtar ka bërë të mundur që shumë sëmundje të rënda, dikur të zakonshme dhe shpesh fatale, të zhduken ose të vihen nën kontroll. Instituti thekson se falë kësaj praktike, sot fëmijët në Kosovë nuk përballen më me rreziqe që më parë ishin të përditshme.

“Në Kosovë, për dekada, vaksinimi ka qenë një nga masat më të suksesshme të shëndetit publik. Falë vaksinimit të rregullt, sot fëmijët tanë nuk sëmuren më nga shumë sëmundje që dikur ishin të zakonshme dhe shpesh fatale”, thuhet në deklaratën e IKSHPK-së.

Sipas këtij institucioni, sëmundje si paraliza e fëmijëve janë eliminuar, ndërsa difteria dhe tetanusi janë bërë shumë të rralla. Po ashtu, rubella e lindur, e cila dikur shkaktonte verbëri dhe dëmtime të rënda, është parandaluar me sukses, ndërsa fruthi është vënë nën kontroll falë vaksinës MMR, që mbron nga fruthi, shytat dhe rubella.

IKSHPK ka reaguar edhe ndaj dezinformatave të përhapura vitet e fundit, sipas të cilave vaksina MMR gjoja shkakton autizëm. Instituti thekson se këto pretendime nuk janë të vërteta dhe nuk mbështeten nga shkenca.

“Kjo nuk është e vërtetë. Shkenca ka vërtetuar qartë se vaksina MMR nuk lidhet me autizmin”, nënvizon IKSHPK, duke shtuar se këtë e konfirmojnë Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qendra Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve, Agjencia Evropiane e Barnave dhe shumë studime ndërkombëtare që kanë përfshirë miliona fëmijë.

Instituti rikujton se rreziku më i madh për shëndetin e fëmijëve vjen nga mosvaksinimi, e jo nga vaksinat. Fruthi, sipas tyre, nuk është një sëmundje e lehtë, pasi mund të shkaktojë komplikime serioze, përfshirë infeksione të mushkërive, dëmtime të trurit dhe, në raste të rënda, edhe humbje jete.

Në fund, IKSHPK u bën thirrje prindërve që të informohen gjithmonë nga profesionistët shëndetësorë dhe të respektojnë kalendarin e vaksinimit, duke e cilësuar vaksinimin si mënyrën më të sigurt për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments