Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë nisur një seri ligjëratash dhe komunikimesh publike, këtë herë duke përfshirë edhe nxënësit e shkollave të mesme. Një aktivitet i tillë është mbajtur së fundmi me nxënësit e shkollës “Xhevdet Doda” në Prishtinë.
Një fotografi e siguruar nga gazeta Nacionale tregon se nxënësit janë ftuar të vlerësojnë ligjëratën. Pyetjet e tyre përfshinin elemente si organizimi i ngjarjes, mjaftueshmëria e informacionit për Gjykatën Speciale dhe qartësia e materialeve të prezantuara.
Megjithatë, disa nxënës shprehën pakënaqësi mbi përgjigjet që morën gjatë sesionit, ndërsa në një koment të shkruar njëri prej tyre kërkoi lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Gazeta Nacionale kontaktoi drejtorin e shkollës, Isak Bregaj, i cili tha se ligjërata ishte pjesë e një aktiviteti të organizuar nga një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ku u diskutuan tema të ndryshme për gjykatat, përfshirë edhe Gjykatën Speciale.
“Ka qenë një prezantim mbi të gjitha gjykatat, dhe përmendja e Gjykatës Speciale ishte vetëm pjesë e temave të trajtuara,” tha Bregaj.
Megjithatë, dokumenti i siguruar nga Nacionale mban logo dhe informacion të Gjykatës Speciale, duke përfshirë kontaktet e Njësisë së Komunikimit të këtij institucioni. Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, nuk ka kthyer përgjigje gjatë kontaktimit të gazetarëve.
Në këtë moment nuk dihet saktësisht kush i ka mbajtur ligjëratat dhe çfarë është diskutuar në secilën seancë. Pyetje të mëtejshme janë dërguar në adresë të Gjykatës Speciale dhe pritet një përgjigje zyrtare.
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shpenzuar pjesë të buxhetit të tyre për aktivitete informuese gjatë viteve të fundit, duke përfshirë media, shoqëri civile, juristë dhe fakultete juridike, me qëllim rritjen e transparencës dhe njohjes publike për funksionimin e Gjykatës Speciale.

