Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka reaguar sot lidhur me ndarjen selektive të një stimulimi financiar, të bërë nga menaxhmenti pa njoftim paraprak dhe pa transparencë.
Sindikata thekson se vendimi u mor menjëherë pas kërkesës që punëtorët të presin deri më 16 shkurt për pasqyrat financiare dhe vendimet për paga. “Sot nuk u përçanë punëtorët mes vete, por u tentua të përçahet uniteti përmes një vendimi të njëanshëm,” thuhet në reagimin e saj.
Në komunikatë theksohet se punëtorët që morën stimulimin nuk janë fajtorë, ndërsa ata që nuk e morën nuk janë më pak të vlefshëm. Sindikata kujton se KEK funksionon vetëm kur ka barazi, besim dhe respekt, dhe çdo përpjekje për përçarje mund të krijojë pasiguri, mosbesim dhe dëm për sistemin.
Sindikata e Re e KEK-ut ka paralajmëruar se do të ndërmarrë padi ligjore për këtë çështje, duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e punëtorëve. Në komunikatë theksohet gjithashtu: “Ne nuk kërkojmë t’i merret askujt ajo që ka marrë, por kërkojmë që vendimet të merren bashkë, me drejtësi dhe transparencë.”
Reagimi përfundon me mesazhin: “Punëtori nuk përçahet. Punëtori respektohet.” ✊
