Qytetarët po përballen me mungesë të barnave në treg, pasi distributorët farmaceutikë refuzojnë të furnizojnë barnatoret me çmimet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, duke kërkuar fitim më të lartë. Pas nivelimit të çmimeve, gati një vit më parë, disa ilaçe mungojnë plotësisht ose shiten me çmime shumëfish më të larta dhe pa banderolë.
Sipas Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë dhe Medicinale, mungesa e barnave lidhet me marzhën e ulët të fitimit, çmimet jo të qarta të kalkuluara nga Ministria dhe ndryshimet në çmimet e vendeve referente si Shqipëri, Maqedoni, Kroaci dhe Mali i Zi. “Nëse nuk ka interes dhe përfitim të caktuar, importuesit dhe depot farmaceutike nuk do të sjellin barnat në treg,” thuhet në përgjigjen e shoqatës.
Barnat më të prekura përfshijnë Euthyrox 100 mg, të cilin pacientët me çrregullime të gjëndrës tiroide nuk mund ta gjejnë prej muajsh. Disa qytetarë kanë raportuar se e kanë gjetur ilaçin vetëm me çmim gati trefish më të lartë se çmimi i përcaktuar nga Ministria (3.30 euro kundrejt 1.17 eurove zyrtare).
Në barnatore mungojnë edhe disa ilaçe për tensionin e gjakut, diabetin dhe sëmundje të tjera. Nga Ministria e Shëndetësisë nuk ka pasur përgjigje lidhur me identifikimin e barnave që mungojnë ose masat e ndërmarra ndaj distributorëve.
Astrit Haxhijaha, nënkryetar i Odës së Farmacistëve, tha se nivelimi i çmimeve shkaktoi mungesa, por situata është në fazë tranzitore për stabilizimin e tregut. Ai shtoi se me koordinim më të mirë mes Ministrisë dhe komunitetit farmaceutik, mungesat do të mund të evitoheshin.
Sipas Ligjit për Çmimin e Produkteve Medicinale, përcaktimi i çmimeve bëhet bazuar në metodologjinë e çmimeve referente në Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, Kroaci dhe vendin e origjinës së produktit.
