Friday, June 19, 2026
HomeHulumtimeHaxhiu: Votat me postë duhet të kontrollohen me ekspertizë grafologjike

Haxhiu: Votat me postë duhet të kontrollohen me ekspertizë grafologjike

Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka theksuar se votat me postë duhet të nënshtrohen një ekspertize të pavarur grafologjike. Sipas tij, vetëm një hetim i tillë mund të zbulojë ekzistencën e mundshme të një skeme kriminale të gjerë në procesin e votimit jashtë vendit.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Haxhiu e ka vlerësuar aksionin e Prokurorisë së Prizrenit kundër manipuluesve të votave dhe ka kërkuar që Kryeprokurori i Kosovës të veprojë me të njëjtin standard ligjor.

“Veprimi i Kryeprokurorit të Prizrenit, z. Petrit Kryeziu, meriton përgëzime për përgjegjësinë institucionale në zbatimin e ligjit kundër manipulimeve të votës. Zbatimi i drejtë i ligjit duhet të shtrihet në të gjithë procesin zgjedhor, duke përfshirë edhe veprimet në QNR dhe KQZ, ku janë administruar vota me postë të pranuara jashtë afatit ligjor, për të cilat ka dyshime të bazuara për manipulim. Prokuroria, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore, duhet të hetojë çdo dyshim për keqpërdorim të votës, përfshirë votat në QKN, QNR dhe ato me postë, të cilat janë përfshirë në rezultatin zgjedhor në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këto veprime minojnë seriozisht integritetin e procesit zgjedhor”, shkruan Haxhiu.

Ai shton se votat me postë duhet të kalojnë një kontroll grafologjik profesional, i pavarur dhe i paanshëm, për të identifikuar çdo manipulim të mundshëm. “Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Kryeprokurori i Kosovës duhet të veprojnë me të njëjtin standard ligjor, në mënyrë që asnjë votë e manipuluar apo e pranuar jashtë afatit të mos ndikojë në rezultatin përfundimtar. Vetëm një hetim gjithëpërfshirës dhe i kujdesshëm mund të rikthejë besimin e publikut në një proces zgjedhor tashmë të komprometuar. Ligji është i barabartë për të gjithë, askush nuk është mbi të”, ka përfunduar ai.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments