Friday, June 19, 2026
HomeEkonomiBiznesZRRE-ja njofton “fazën e re nga 1 prilli”, por bizneset nuk e...

ZRRE-ja njofton “fazën e re nga 1 prilli”, por bizneset nuk e dinë ende fatin e tyre

Deri më tani, Zyrja e Rregullatorit për Energji (ZRRE) nuk ka dhënë informacion për kthimin e bizneseve në Shërbimin Universal, edhe pse disa prej tyre nuk i plotësojnë më kriteret ligjore.

Që nga 1 Qershori i vitit të kaluar, rreth 1300 biznese të mëdha janë nxjerrë nga Shërbimi Universal dhe janë futur në tregun e hapur të energjisë elektrike, bazuar në dy kritere: më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.

Megjithatë, disa biznese që kanë pësuar ndryshime në këto kritere nuk janë kthyer në furnizimin me tarifa të rregulluara. Nga ana tjetër, kompanitë që nuk i plotësuan kriteret vitin e kaluar, por tashmë i kanë tejkaluar ato, vazhdojnë të furnizohen me tarifa të rregulluara, sikurse konsumatorët shtëpiakë.

ZRRE-ja ka njoftuar se “faza e radhës e daljes së konsumatorëve në tregun e hapur është planifikuar të nisë më 1 prill të këtij viti”, duke u bazuar në të dhënat që do të merren nga ATK-ja. Megjithatë, nuk është dhënë asnjë informacion për kthimin në tarifa të rregulluara të bizneseve që kanë rënë nën kufijtë e përcaktuar ligjërisht.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, Kushtrim Ajvazi, ka kërkuar qartësi për situatën aktuale. Ai ka theksuar se vendimi i Gjykatës Supreme nuk është zbatuar ende dhe shumë biznese janë ende të futur në tregun e lirë pa udhëzues të qartë. “Janë mbi 1000 biznese që nuk e plotësojnë kriterin ligjor dhe janë nxjerrë në tregun e lirë. Nuk dihet si do të llogaritet numri i punëtorëve dhe cilat biznese do të dalin me 1 Prill,” ka thënë Ajvazi.

Shoqata e Prodhuesve ka vënë në dukje se dalja në tregun e hapur ka shkaktuar rritje të kostos së energjisë elektrike, ulje të konkurrencës dhe rënie të eksportit për disa kompani.

Situata e krijuar tregon një mungesë koordinimi ndërmjet ZRRE-së dhe bizneseve. Ndërkohë që faza e re e daljes në tregun e hapur është planifikuar për 1 prill, shumë kompani nuk e dinë nëse do të mbeten në tregun e lirë apo do të kthehen në tarifa të rregulluara. Pa udhëzues të qartë, kjo krijon pasiguri dhe mund të ndikojë negativisht në aktivitetin ekonomik dhe konkurrencën në sektorin e energjisë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments