Prishtinë – Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar nisjen e një auditimi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe komunave të Lipjanit, Gjilanit, Rahovecit, Mitrovicës së Jugut dhe Ferizajt, lidhur me furnizimin me barna për kujdesin shëndetësor parësor dhe trajtimin e sëmundjeve të rralla gjatë periudhës 2022–2024.
Sipas njoftimit të ZKA-së, fokus i auditimit do të jenë planifikimi, kontraktimi, shpërndarja dhe menaxhimi i barnave, me synim rritjen e efikasitetit në sektorin shëndetësor. Auditimi do të vlerësojë nëse Ministria e Shëndetësisë ka vepruar në mënyrë ekonomike dhe efikase në procesin e furnizimit dhe shpërndarjes së barnave.
ZKA-ja thekson se “aktualisht MSh-ja përmbush vetëm 35–40% të nevojave reale për disa barna, duke detyruar komunat dhe qytetarët që t’i sigurojnë ato vetë”. Ky auditim vjen pas raportimeve të mediave se, pavarësisht buxheteve të konsiderueshme të ndara nga Qeveria, mungesat e barnave vazhdojnë të jenë një problem.
Qeveria dhe komunat e përfshira pritet të ofrojnë informacion të detajuar mbi procedurat e furnizimit dhe menaxhimit të barnave, ndërsa auditimi synon të identifikojë boshllëqet dhe të rekomandojë masa për përmirësim.
