Friday, April 17, 2026
HomeInformata , Siguri dhe VetdijesimOsmani: Avancimi i Aktit për Luginën, mesazh i qartë kundër diskriminimit

Osmani: Avancimi i Aktit për Luginën, mesazh i qartë kundër diskriminimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur avancimin e Aktit të Vlerësimit të Diskriminimit në Luginën e Preshevës nga Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së. Ajo e ka cilësuar këtë si një mesazh të qartë se diskriminimi sistematik ndaj komunitetit shqiptar në Serbi nuk do të mbetet i padukshëm.

Osmani ka përgëzuar kongresistin amerikan Keith Self për prezantimin dhe mbështetjen e aktit, si dhe kryetarin e komitetit Brian Mast dhe anëtarin kryesor Gregory Meeks për udhëheqjen, duke falënderuar gjithashtu të gjithë deputetët që votuan pro me mbështetje dypartiake.

“Serbia ka kryer vazhdimisht shkelje autoritare të të drejtave të pakicave, duke përfshirë pasivizimin për spastrim etnik, shtypjen e gjuhës shqipe, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.

Të mërkurën mbrëma, anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan miratuan një rezolutë që shtyn përpara projektligjin, duke kërkuar nga Sekretari i Shtetit të marrë masa për trajtimin e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët.

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e ka vlerësuar vendimin si shumë të rëndësishëm dhe ka bërë thirrje për ndërhyrje edhe nga Bashkimi Evropian, duke kërkuar që respektimi i të drejtave të njeriut të lidhet me proceset integruese të Serbisë.

“Presim që Serbia të ndalë praktikat diskriminuese dhe të respektojë të drejtat themelore të shqiptarëve, ndërsa BE-ja duhet ta trajtojë këtë çështje seriozisht. Diskriminimi nuk mund të tolerohet në një shtet që pretendon anëtarësim në BE”, tha ajo.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments