Një tjetër rast i tentativës për trafikim të armëve të zjarrit është goditur me sukses nga Policia Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, në kuadër të operacionit policor të koduar “Siguria”.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me strukturat e sigurisë në aeroport, kanë intensifikuar kontrollet bazuar në analizën e riskut dhe informacionet e inteligjencës policore, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme në kufi.
Gjatë kontrolleve në dalje të Shqipërisë, është kapur në flagrancë dhe është vënë në pranga shtetasi shqiptar H. H., 30 vjeç, rezident në Itali, i cili dyshohet se po tentonte të trafikonte armë zjarri drejt këtij shteti.
Nga kontrolli i detajuar me skaner në bagazhet e tij, shërbimet policore kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
Policia Kufitare në Rinas thekson se puna intensive për garantimin e sigurisë dhe zbatimin rigoroz të procedurave të kontrollit në kufi do të vijojë pa ndërprerje, me fokus parandalimin dhe goditjen e çdo forme paligjshmërie.
