Tregu bankar në Kosovë ka shënuar një tjetër rekord historik gjatë vitit 2025, me vlerën e kredive të reja që ka arritur në 2.684 miliardë euro, duke reflektuar një rritje prej 3.8 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), qytetarët dhe bizneset në Kosovë kanë marrë më shumë kredi se kurrë më parë, ndërsa aktiviteti kreditues ka vazhduar trendin rritës të dekadës së fundit.
Në vitin 2024, vlera e kredive të reja kishte qenë 2.587 miliardë euro, ndërsa në vitin 2025 kjo shifër u rrit në 2.684 miliardë euro, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në sistemin bankar të vendit.
Interesat nisin të rriten lehtë pas disa vitesh stabiliteti
Përveç rritjes së volumit të kredive, gjatë vitit 2025 është vërejtur edhe një lëvizje e lehtë në normat efektive të interesit. Mesatarja e interesit për kreditë e reja u rrit nga 6.1 për qind në vitin 2024, në 6.4 për qind në vitin 2025.
Edhe pse kjo rritje konsiderohet e moderuar, ajo sinjalizon një kthesë të mundshme pas disa viteve me interesa historikisht të ulëta, të cilat kishin ndihmuar në rritjen e fortë të kreditimit në ekonomi.
Zgjerim i qëndrueshëm në dekadën e fundit
Të dhënat dhjetëvjeçare tregojnë një zgjerim të vazhdueshëm të tregut të kredive në Kosovë. Në vitin 2015, bankat kishin dhënë rreth 1.102 miliardë euro kredi të reja, me norma mesatare interesi prej 8.3 për qind.
Deri në vitin 2025, kjo vlerë është rritur në pothuajse 2.7 miliardë euro, ndërsa normat mesatare të interesit kanë rënë ndjeshëm, duke u stabilizuar rreth 6.4 për qind.
Rritja e kreditimit është nxitur si nga sektori i ekonomisë familjare, ashtu edhe nga bizneset, të cilat kanë rritur kërkesën për financim për investime, banesa dhe konsum.
Totali i kredive arrin mbi 6.4 miliardë euro
Sipas statistikave të BQK-së, totali i kredive në sistemin bankar është rritur nga 3.2 miliardë euro në vitin 2020, në mbi 6.4 miliardë euro deri në mesin e vitit 2025.
Kjo rritje tregon një dyfishim të pothuajse të plotë të portofolit të kredive brenda pesë viteve, duke reflektuar zgjerimin e sistemit financiar dhe rritjen e rolit të bankave në financimin e ekonomisë.
Ndërkohë, normat mesatare të interesit në nivel vendi kanë lëvizur nga rreth 6 për qind në vitin 2020, në rreth 6.38 për qind në vitin 2025.
Sistemi bankar dhe infrastruktura financiare
Në Kosovë aktualisht operojnë dhjetë banka komerciale, të cilat i përcaktojnë individualisht normat e interesit dhe depozitave, bazuar në politikat e tyre afariste. Banka Qendrore e Kosovës nuk ka kompetencë të ndërhyjë drejtpërdrejt në përcaktimin e këtyre normave.
Në fund të vitit 2024, numri i kartelave debit kishte arritur në rreth 1.4 milion, ndërsa kartelat e kreditit në rreth 195 mijë.
Në nivel vendi janë funksionalë 635 bankomatë dhe mbi 20.900 terminale POS, të cilat u mundësojnë qytetarëve pagesa elektronike në mijëra pika tregtare.
Rritja historike e kredive tregon një besim të shtuar të qytetarëve dhe bizneseve në sistemin bankar dhe në perspektivën ekonomike të vendit. Megjithatë, rritja graduale e interesave mund të frenojë pjesërisht këtë trend në vitet në vijim, duke e bërë më të kujdesshme kërkesën për kredi, sidomos në sektorin e banesave dhe konsumit.
