Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nderuar sot dëshmorët e familjes patriotike Lleshi nga Vraniqi i Gjakovës, duke vendosur lule të freskëta te varret e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Memës e Prendit, në përvjetorin e 27-të të rënies së tyre në luftimet e Godenit të Hasit.
Katër shtylla që mbajnë një kulm simbolizojnë katër dëshmorët e familjes Lleshi, të cilët ranë heroikisht në mbrojtje të popullit dhe atdheut. Ata prehen pranë të afërmve të tyre, Markut e Kolës, të rënë më 7 gusht 1998 në betejën e Markalleshëve.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti theksoi se rruga drejt çlirimit të Kosovës dhe lirisë së popullit është e shtruar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve, duke nënvizuar rëndësinë e sakrificës së tyre për demokracinë, zhvillimin dhe sigurinë e vendit.
“Republika e Kosovës sot ka demokraci të shëndetshme dhe zhvillim të qëndrueshëm, ushtri të fortë dhe siguri anekënd, duke e lartësuar kështu sakrificën e madhe të popullit tonë për liri, pavarësi dhe mirëqenie”, u shpreh kryeministri.
Në përfundim të postimit, Kurti u bashkua me popullin e Kosovës për të nderuar jetën dhe veprën e dëshmorëve dhe martirëve të kombit, duke theksuar se kujtimi i tyre mbetet pjesë e pandashme e historisë dhe identitetit kombëtar.

