Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka reaguar pas pretendimeve për testimin e dronit ushtarak “Skifter 1”, duke deklaruar se nuk është e përfshirë në asnjë mënyrë në prodhimin, testimin apo autorizimin e këtij droni.
Në një përgjigje me shkrim për VOX Kosova, ministria tha se asnjë institucion i Kosovës nuk ka qenë pjesë e ndonjë testimi të tillë dhe se Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë leje apo autorizim për fluturime të tilla në hapësirën ajrore të vendit. Autoriteti për lejet e fluturimit mbetet Komandanti i KFOR-it në bashkëpunim me ASHNA.
Rasti lidhet me dy video të publikuara nga Ridvan Aliu, pronar i kompanisë “Future Minds Academy”, i cili pretendonte se po prodhon dhe shet dronë ushtarakë të testuar me efikasitet të lartë. Sipas mediave, videot rezultuan të jenë materiale të marra nga kompani kineze dhe nuk tregojnë testime në Kosovë.
Ministria bëri të ditur se po e hulumton rastin për vërtetësinë e videos dhe autencitetin e dronit, duke analizuar dyshimet se materialet mund të jenë marrë nga burime të huaja.
Sa i përket pamjeve ku ministri Ejup Maqedonci shihet me Ridvan Aliun, ministria sqaron se pjesëmarrja e tij ishte vetëm në një garë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane për inovacion dhe teknologji, ku u vlerësuan individë dhe kompani kosovare për inovacionet në dronët e vegjël me rotorë/helika. Në këtë aktivitet, Future Minds Academy mori çmimin e parë për prototipin e dronit me helika, por jo për dronin Skifter K1.
Ministria theksoi se aktiviteti ka pasur natyrë inovative dhe komerciale, dhe nuk ka pasur asnjë përfshirje në testime të dronëve ushtarakë me krahë të ngurtë (fixed wings).
