Në ambientet e Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës, aty ku çdo ditë kryhen analiza laboratorike për viruse, baktere dhe sëmundje ngjitëse, është vërejtur një gjendje tejet shqetësuese e higjienës, veçanërisht në hapësirat sanitare.
Sipas pamjeve të siguruara, banjot ndodhen në kushte katastrofale, me papastërti të dukshme, njolla në dysheme, elemente sanitare të amortizuara dhe mungesë të mirëmbajtjes bazë. Kjo situatë është alarmante, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një institucion ku pastertia maksimale duhet të jetë standard i panegociueshëm.
Ekspertë të shëndetit publik theksojnë se ambiente të tilla përbëjnë rrezik potencial për përhapjen e infeksioneve, sidomos në një vend ku qytetarët paraqiten për analiza mjekësore dhe ku trajtohen mostra biologjike të ndjeshme.
Qytetarët dhe pacientët që frekuentojnë institutin shprehen të indinjuar, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, pasi kjo gjendje jo vetëm që cenon standardet higjieno-sanitare, por dëmton edhe besimin e publikut ndaj institucioneve shëndetësore.
Deri më tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga drejtuesit e institutit lidhur me këtë situatë, ndërkohë që thirrjet për përgjegjësi dhe masa konkrete po shtohen.

