Tuesday, August 4, 2026
HomeLajmeRinumërimi trondit rezultatet, por Parlamenti mbetet pothuajse i pandryshuar

Rinumërimi trondit rezultatet, por Parlamenti mbetet pothuajse i pandryshuar

Procesi i rinumërimit të votave ka nxjerrë në pah një numër të madh parregullsish në Qendrat Komunale të Numërimit, por deri më tani ka prodhuar vetëm një ndryshim konkret në përbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Sipas të dhënave të deritanishme, mbi 80 mijë vota të kandidatëve kanë rezultuar të pasakta ose të numëruara gabimisht. Pjesa më e madhe e këtyre votave i përket kandidatëve brenda të njëjtave parti, duke mos ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve ndërmjet subjekteve politike.

Nga totali i votave të prekura, rreth 40 mijë vota u takojnë kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, rreth 15 mijë Lëvizjes Vetëvendosje, afërsisht 11 mijë Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rreth 4 mijë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Pavarësisht këtyre dallimeve të mëdha, vetëm një deputet ka humbur mandatin si pasojë e rinumërimit. Bëhet fjalë për deputetin nga komuniteti turk, Fikrim Damka, i cili është zëvendësuar nga bashkëpartiaku i tij, Ergul Mazrek. Të gjitha mandatet e tjera brenda partive kanë mbetur të pandryshuara.

Sipas burimeve zyrtare, manipulimet me vota kanë ndodhur kryesisht në dy forma: në raste kur numëruesit kanë shtuar vota drejtpërdrejt në sistem për kandidatët, veçanërisht kur qytetarët kanë shënuar më pak se 10 emra në fletëvotim, si dhe përmes zhvendosjes së votave nga një kandidat te tjetri brenda së njëjtës parti.

Këto parregullsi kanë nxitur nisjen e hetimeve në disa komuna të vendit. Si pasojë, një numër komisionarësh dhe vëzhguesish zgjedhorë janë ndaluar dhe kanë përfunduar në paraburgim. Megjithatë, deri tani, asnjë nga deputetët emrat e të cilëve janë shoqëruar me dallime të mëdha në numër votash nuk është ftuar ende për intervistim nga prokuroria, ndonëse autoritetet nuk e kanë përjashtuar këtë mundësi.

Gjatë rinumërimit të fundit në Podujevë, janë evidentuar mospërputhje të theksuara me rezultatet fillestare. Kandidatit të Vetëvendosjes, Ejup Maqedonci, i janë hequr 404 vota. Po ashtu, Vendenis Lahut i janë hequr 378 vota, Adelina Stublla 226 vota dhe Albin Kurti 96 vota.

Në radhët e PDK-së, kandidates Ditjona Statovci i janë hequr 187 vota. Situata e ngjashme është regjistruar edhe në Obiliq, ku Gazmend Krasniqi ka humbur 362 vota, Adelina Grainca 295 vota, ndërsa Enver Dugolli 106 vota.

Rinumërimi i votave ka hyrë sot në ditën e 17-të, ndërsa pritet që procesi të përmbyllet gjatë ditës së nesërme. Ende nuk dihet se kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i shpallë rezultatet përfundimtare.

Pas përfundimit të rinumërimit, do të hapen afatet për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe më pas në Gjykatën Supreme, duke e zgjatur edhe më tej procesin drejt certifikimit përfundimtar të zgjedhjeve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments