Monday, August 3, 2026
HomeInformata , Siguri dhe VetdijesimTë shtëna në një gjimnaz në Kanada, bilanci i rëndë trondit vendin

Të shtëna në një gjimnaz në Kanada, bilanci i rëndë trondit vendin

Ngjarje e pazakontë për Kanadanë, hetimet vijojnë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kanadanë perëndimore, pasi një person i armatosur hapi zjarr në një shkollë të mesme, duke shkaktuar humbjen e jetës së dhjetë personave, përfshirë edhe vetë autoren e dyshuar të sulmit.

Incidenti ndodhi të martën në qytetin Tumbler Ridge, në provincën British Columbia, dhe konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda me viktima të shumta në historinë e fundit të vendit. Autoritetet kanadeze konfirmuan se sulmi u krye nga një autore femër, ndërsa motivet e saj mbeten ende të paqarta.

Sipas Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP), gjashtë persona u gjetën pa shenja jete brenda ambienteve të shkollës së mesme. Dy viktima të tjera u gjetën në një banesë që dyshohet të ketë lidhje direkte me autoren e sulmit, ndërsa një person tjetër ndërroi jetë gjatë transportimit drejt spitalit, për shkak të plagëve të marra.

Forca të shumta policore, ambulanca dhe shërbime emergjente u angazhuan menjëherë në vendngjarje, duke rrethuar zonën e shkollës dhe duke evakuuar nxënësit dhe stafin mësimor për arsye sigurie. Autoritetet konfirmuan se nuk ka më rrezik për publikun, ndërsa situata është tashmë nën kontroll.

RCMP bëri të ditur se hetimet janë në fazë intensive, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë ngjarje tragjike. Po analizohen lëvizjet e autores para sulmit, si dhe çdo lidhje e mundshme me viktimat e gjetura jashtë shkollës.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe ka rikthyer diskutimet mbi sigurinë në shkolla, pavarësisht se Kanadaja njihet si një vend me nivele të ulëta të dhunës me armë zjarri krahasuar me shtete të tjera.

Autoritetet federale dhe lokale kanë shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa komuniteti i Tumbler Ridge është futur në ditë zie.

Burimi: abcnews.al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments