Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot grevën historike të minatorëve të Trepçës, duke theksuar rëndësinë e kontributit të dhënë nga brezat e mëparshëm për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.
“Për të nderuar kontributin e dhënë ndër gjenerata për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, sot, 37 vite më pas, le ta kujtojmë grevën e minatorëve të Trepçës, me thirrjen ‘Kosova Republikë’”, ka shkruar Kurti në postimin e tij.
Më 20 shkurt 1989, rreth orës 13:00, minatorët e ndërrimit të katërt në Stantërg refuzuan të dilnin nga miniera dhe hynë në grevë urie. Gradualisht iu bashkuan edhe kolegët e tre ndërrimeve të tjera, duke u bërë rreth 1300 minatorë grevistë. Ata protestuan për fatin politik të shqiptarëve në Jugosllavi dhe për cënimin e statusit të Kosovës si krahinë autonome, duke shtruar dhjetë kërkesa, përfshirë që çështja e shqiptarëve të shqyrtohej edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Kjo nuk ishte hera e parë që minatorët organizoheshin për kërkesa politike. Tre muaj më parë, më 17 nëntor 1988, ata marshuan nga Stantërgu deri në Prishtinë, duke kërkuar përfillje politike për klasën punëtore. Qysh më 28 shtator 1983, minatorët Xhavit Bajraktari dhe Shyqri Miftari kishin shkruar në muret e menzës parullat “Kosova Republikë” dhe “Trepça është e jona”.
Komiteti Krahinor i Kosovës nuk iu përgjigj kërkesave të minatorëve, duke përdorur deleguar dhe manovrime mashtruese për t’i dhënë fund grevës. Më 1 mars 1989, minatorët dolën nga zgafellat e tetë dhe të nëntë, miniera u mbyll, dhe 15 prej tyre u arrestuan dhe u dënuan me nga 14 muaj burgim. Tre javë më pas, më 23 mars 1989, Serbia ia suprimoi autonominë Kosovës, duke hapur rrugën për instalimin e një regjimi apartheid në vend.
Megjithëse kërkesat e minatorëve nuk u realizuan, greva e Stantërgut konsiderohet akti i parë i gjerë rezistues që shënoi fillimin e epokës së shkatërrimit të Jugosllavisë nga Serbia e Millosheviqit, periudhë kjo që kulmoi me çlirimin e Kosovës në qershor 1999.
Kryeministri Kurti ka përmendur se kujtimi i këtij momenti historik është i rëndësishëm për të gjithë brezat: “E kaluara dhe historia jonë janë themeli i shtëpisë sonë politike: Republikës së Kosovës.”
