Friday, September 18, 2026
HomeEkonomiQeveria miraton sanksione shtesë ndaj Rusisë dhe programin legjislativ për vitet 2026–2028

Qeveria miraton sanksione shtesë ndaj Rusisë dhe programin legjislativ për vitet 2026–2028

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të dytë, ka miratuar Projekt-programin e projektligjeve për periudhën 2026–2028, duke vendosur prioritet për disa iniciativa kyçe ligjore që synojnë forcimin e sundimit të ligjit dhe transparencës në vend.

Kryeministri Albin Kurti tha se në kuadër të agjendës legjislative do të prioritizohen procedimi i projektligjit për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe projektligji për çmimet tavan, të cilat më pas do t’ia përcjellin Kuvendit të Republikës së Kosovës. Programi legjislativ për vitet 2026–2028 u miratua nga të gjithë ministrat pa asnjë kundërshtim.

Po ashtu, Qeveria miratoi një ndryshim për zbatimin e vendimeve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së lidhur me sanksionet ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë për shkak të situatës në Ukrainë. Kjo do të thotë se Kosova vendos masa shtesë ndaj Rusisë, pas pakos 19 të BE-së për masa ndaj saj. Sipas Kurtit, Republika e Kosovës ka miratuar deri më tani 18 pako paraprake të sanksioneve të BE-së, e fundit më 19 shtator të vitit të kaluar.

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, theksoi se pakoja e re synon sektorin e energjisë, financave, kompleksin ushtarako-industrial, tregtinë dhe zinxhirët e furnizimit me mallëra ushtarake dhe shërbime strategjike, përfshirë inteligjencën financiare. Masa do të merren edhe për kontrollin e lëvizjes së diplomatëve rusë dhe përgjegjësinë për rrëmbimin dhe deportimin e fëmijëve të Ukrainës. Masa të ngjashme janë vendosur edhe ndaj Bjellorusisë.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria miratoi Projekt-rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Ministrive dhe Projekt-programin e Vlerësimit Ex-Post të Akteve Juridike, që analizon vendimet dhe impaktin e tyre në praktikë. Gjithashtu, u miratua projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.

Për programin IPA 2017 dhe IPA 2018 u miratuan amandamente që zgjasin afatin kohor për zbatimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa një projekt-rregullore për shqyrtimin administrativ të akteve komunale, të sponsorizuar nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, do të përcaktojë procedurat për aktet e komunave dhe obligimet e institucioneve përgjegjëse.

Në kuadër të mbledhjes, Qeveria themeloi edhe dy ndërmarrje publike-lokale, njëra në Fushë Kosovë dhe tjetra në Drenas, duke synuar zhvillimin e shërbimeve lokale dhe rritjen e menaxhimit efektiv të resurseve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments