Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kabineti “Kurti 3”, në mbledhjen e sotme ka miratuar shqyrtimin e projektrregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të ministrive, si dhe shqyrtimin e projektprogramit të projektligjeve për periudhën 2026–2028.
Gjatë mbledhjes, kryeministri Albin Kurti theksoi se në kuadër të agjendës legjislative për vitet 2026–2028 do të prioritizohen disa iniciativa të rëndësishme ligjore. Sipas tij, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet projektligjit për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si dhe projektligjit për çmimet tavan.
“Në kuadër të agjendës legjislative do të prioritizojmë për vitet 2026–2028 procedimin e projektligjit për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe projektligjin për çmimet tavan, të cilat do t’ia përcjellim Kuvendit”, ka deklaruar Kurti gjatë mbledhjes.
Qeveria vlerëson se këto projektligje janë pjesë e reformave që synojnë rritjen e transparencës, forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e qytetarëve nga çmimet e larta në treg.
Projektprogrami i projektligjeve për vitet 2026–2028 do të shërbejë si udhërrëfyes për punën legjislative të Qeverisë në vitet në vijim, duke përcaktuar prioritetet kryesore që pritet të trajtohen dhe të procedohen në Kuvend.
