E rëndë në Podujevë: Katër të plagosur pas konfliktit mes familjarëve
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së dielës në Podujevë, ku katër persona kanë mbetur të plagosur pas një konflikti që dyshohet të ketë ndodhur mes familjarëve.
Sipas informacioneve të para, në incident janë përfshirë persona që kanë lidhje familjare, konkretisht dajë dhe nipa. Të lënduarit janë transportuar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Burimet bëjnë të ditur se konflikti mund të ketë qenë pasojë e mosmarrëveshjeve të mëhershme mes palëve, të cilat dyshohet se kanë eskaluar gjatë ditës së sotme.
Ndër personat e përfshirë në këtë rast, sipas raportimeve, është edhe Agim Xhemajli.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë incident.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.
