Ky është 29-vjeçari që dyshohet se kërcënoi me vrasje dy policë në Suharekë (Emri)
Është bërë i ditur identiteti i 29-vjeçarit që dyshohet se kërcënoi me vrasje dy zyrtarë të Policisë së Kosovës gjatë një incidenti të ndodhur në Suharekë.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për Ali Tafollin, i cili u arrestua pas një përplasjeje me policinë në orët e mëngjesit të së premtes.
Ngjarja dyshohet se nisi rreth orës 07:20, pasi policia u njoftua për një mosmarrëveshje në parkingun “Xoni” në Suharekë. Sipas informacioneve, i dyshuari po tentonte të largonte automjetin e tij nga parkingu pa ndjekur procedurat e nevojshme.
Burimet bëjnë të ditur se, pasi u njoftua nga zyrtarët policorë se duhej të respektonte procedurat ligjore, 29-vjeçari dyshohet se reagoi në mënyrë agresive dhe refuzoi t’u bindet urdhrave të policisë.
Për shkak të sjelljes së tij, ai u shoqërua në Stacionin Policor në Suharekë, ku, sipas raportimeve, dyshohet se vazhdoi t’i kanoste dy zyrtarët policorë duke u thënë se do t’i vriste.
Gjatë testimit me alkooltest, i dyshuari rezultoi nën ndikimin e alkoolit, me 0.94 promil alkool në gjak.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për gjashtë orë në stacionin policor, ndërsa pas intervistimit pritet të vendoset për procedurat e mëtejshme ligjore.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
