Ky është 42-vjeçari që humbi jetën pasi një gur i ra mbi veturë gjatë lëvizjes (Emri)
Një ngjarje tragjike ka tronditur Shqipërinë, ku një 42-vjeçar humbi jetën pasi një gur i madh i shkëputur nga mali goditi veturën me të cilën po udhëtonte.
Viktima është identifikuar si Arjan Hoxha, nga fshati Gjergjan i Elbasanit.
Sipas informacioneve të raportuara, aksidenti ndodhi mbrëmjen e së premtes në aksin rrugor Përrenjas–Librazhd, pranë fshatit Hotolisht, kur një gur i madh u shkëput papritur nga shpati i malit dhe ra mbi automjetin që ishte në lëvizje.
Goditja ishte jashtëzakonisht e fortë, duke i shkaktuar 42-vjeçarit lëndime fatale. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa ekipet e emergjencës nuk arritën ta shpëtonin.
Në vendngjarje dolën menjëherë Policia dhe grupet hetimore, të cilat kryen ekzaminimet e nevojshme për të dokumentuar rrethanat e aksidentit. Dyshohet se shkëputja e gurit është shkaktuar nga rrëshqitja e masivit shkëmbor, megjithatë autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht shkaqet e tragjedisë.
Ngjarja ka pikëlluar familjarët, miqtë dhe të afërmit e Arjan Hoxhës, ndërsa autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në segmentet rrugore malore, sidomos në zonat ku ekziston rreziku i rrëshqitjes së gurëve.
